Printer-friendly version

Fakte Qe Duhet Te Dini Rreth Deshmitareve Te Jehovait

Fakte Qe Duhet Te Dini Rreth Deshmitareve Te Jehovait

By:
 

DESHMITARET E JEHOVAIT. Pothuajse çdo njeri është ndeshur me agresivitetin e vizitave të tyre në çdo derë, për të kthyer njerëzit në besimin e tyre. Organizata që ata përfaqësojnë, e njohur si Bibla e Kullës së Rojës dhe Shoqëria e Pamfleteve (BKR&SHP) e vënë theksin tek profecitë e kohëve të fundit dhe kanë parashikuar por pa sukses mashtrimin e fundit të botës shpeshherë. BKR&SHP ushtron kontroll të rreptë mbi Dëshmitarët e Jehovait dhe ndalon pjesëmarrjen e tyre në aktivitete të tilla të zakonshme si transfuzion gjaku, festim ditëlindjesh ose festash (duke përfshirë Krishtlindjet, Pashkët, Ditën e Nënës) pjesëmarrjen në votime, betimin përpara flamurit dhe shërbimin ushtarak.Nëpërmjet këtyre kufizimeve, BKR&SHP ngre një mur izolimi midis Dëshmitarëve të Jehovait dhe pjesës tjetër të shoqërisë.

"Ky grup në mënyrë të vazhdueshme ka ndryshuar doktrinat e tij, të gjitha këto janë thënë kur në të njëjtën kohë kanë pretenduar se vetëm ata e kanë të gjithë të vërtetën. A është kjo e pajtueshme me përsosmërinë dhe shenjtërinë e Perëndisë?"


 

 

 

E KALUARA HISTORIKE

Bibla e Kullës së Rojës dhe Shoqëria e Pamfleteve guximshëm pretendon se është e vetmja organizatë që Perëndia po përdor sot, që të shpjegojë të vërtetën dhe të flasë për Të.1

Sipas BKR&SHP, të gjithë ata që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait do të shkatërrohen në Armagedon, një ngjarje e gjykimit hyjnor, që ata thonë se është shumë e afërt.

Shoqëria Kulla e Rojës shtyp çdo javë mbi 15 milionëkopje të revistave të saj në 120 gjuhë dhe ka mbi 5 milionë Dëshmitarë të Jehovait [botues] që përhapin doktrinat në 230 vende. Më poshtë do të japim disa fakte të historisë dhe besimeve të Dëshmitarëve të Jehovait, të cilat çdo njeri duhet t’i dijë.

DOKTRINA DHE BESIME TE HUAZUARA Çarls T. Rasëll (1852-1916) themeloi lëvizjen e Dëshmitarëve të Jehovait. Kur ishte një adoleshent ai mohoi rrënjët e tij Presbiteriane, u bashkua me një bashkësi më liberale dhe më vonë u largua edhe prej saj.2

Ai mohoi hyjninë e Krishtit dhe mësimet biblike për ferrin dhe dënimin e përjetshëm. Rasëll nuk kishte shkollim biblik, por e huazoi dhe ndërtoi besimin nga mësime të ndryshme, të cilat ishin të njohura në atë kohë. Për shembull, adventizmi influencoi tek aimohimin e ferrit; një fraksion adventist i udhëhequr nga N.H.Barbur ngjalli interesin e tij për profecitë e kohëve të fundit. Nga Barbur ai huazoi besimin se Krishti u kthye në mënyrë të padukshme në botë në 1874, dhe se 1914 ishte viti i shkatërrimit të botës dhe fillimi i mijëvjecarit të Ri.

PRETENDIME FANTASTIKE

Më 1879 Rasëll nxori revistën e tij të parë Kulla e Rojës e Zionit dhe Heraldi i Prezencës së Krishtit (sot e njohur si Kulla e Rojës) për të reklamuar doktrinat e tij. Njerëzit u tërhoqën nga predikimet sensacionale të Rasëll për kohët e fundit dhe kështu organizata u zgjerua.

Pavarësisht nga mungesa e shkollimit të tij në teologji apo në gjuhët biblike, Rasëll pretendoi se ishte i vetmi që dinte të vërtetën dhe fuqishëm dënoi besimet e tjera të krishtera. Si rrjedhojë, pastorët e besimeve të ndryshme filluan të ekspozojnë mësimet e pavërteta të Rasëll dhe karakterin e tij të dyshimtë.

KARAKTER ME TE META

Reverendi J.J.Ras publikoi një pamflet ku ekspozoheshin pretendimet dhe doktrinat e rrema të Rasëll. Ai zbuloi se Rasëll "kurrë nuk kishte ndjekur shkollën e lartë; nuk di gati asgjë nga filozofia, teologjia historike ose sistematike dhe është krejtësisht i paditur në gjuhët biblike (hebraishtja dhe greqishtja.)"3 Pa arritur sukses Rasëll u mundua të ndalonte qarkullimin e këtyre informacioneve shkatërruese për të, duke e hedhur në gjyq Rev. Ras me akuzën për shpifje. Megjithatë, Rasëll jo vetëm që e humbi gjyqin, por në procesin gjyqësor bëri dëshmi të rreme kur gënjeu, nën betim, se gjoja kishte njohuri të gjuhës greke. Në fund Rasëll pranoi se gjithçka e thënë rreth tij në pamflet ishte e vërtetë.4

Më 1913, Rasëll, pa pasur sukses hodhi në gjyq Shqiponja e perditshme e Bruklinit për shpifje, kur kjo gazetë botoi përpjekjet e tij mashtruese për të shitur grurë të zakonshëm me çmimin e lartë 60 dollarë për shinik, duke pretenduar se ishte "Grurë i mrekullisë."5

PROFECI TE DESHTUARA

Megjithë këto të meta, Rasëlli vazhdoi të tërhiqte njerëz me interpretimet e tij fantastike dhe profetike dhe paralajmërimet e tij dramatike se Armagedoni do të ndodhte në 1914.

Kur 1914 erdhi dhe shkoi, ai e ndryshoi datën për 1915.Rasëlli vdiq në 1916 duke i lënë dishepujt e tij në dyshimin dhe zhgënjimin e parashikimeve të tij të dështuara.Jozef Franklin Radhërford e mori atëherë organizatën nën kontroll.

PROFECI PER PERFITIME


Radhërford (1869-1942) gjithashtu përdori dhe kërcënoi me Armagedonin për të frikësuar Dëshmitarët e Jehovait. Ai botoi "Misteri i mbaruar," një libër i cili parashikonte se më 1918 Perëndia do të shkatëronte kishat dhe miliona anëtarë të tyre dhe lajmëroi se në 1920 çdo mbretëri do të përpihej nga anarkia.6

Radhërfordi shpjegonte se e vetmja rrugë për të shpëtuar nga gjykimi i afërt dhe shkatërrimi, ishte bashkimi me organizatën Kulla e Rojës.

Frika nga Armagedoni i nxiti Dëshmitarët për të punuar më shumë për shitjen e librave të Radhërford dhe literaturës tjetër së Kullës së Rojës. Kur parashikimet për vitin 1918 dhe 1920 dështuan, Radhërfordi caktoi një datë të re në librin e tij të titulluar "Miliona që tani jetojnë nuk do të vdesin kurrë" (1920). Ky libër mësonte se mijëvjecari do të fillonte në 1925 dhe se Shenjtorët e Dhjatës së Vjetër si Abrahami, Isaku, Jakobi dhe Davidi do të vijnë përsëri në jetë. Kulla e Rojës ndërtoi edhe një vilë luksoze spanjolle, të quajtur Beth-Sarim (Shtëpia e Princërve), gjoja për të strehuar këta patriarkë.Ndërkohë Radhërfordi u rehatua në vilë. Ai, gjithashtu, në kohën e Krizës kishte një veturë të re shumë të shtrenjtë, ndërkohë që anëtarët e thjeshtë të Dëshmitarëve të Jehovait shisnin derë më derë librat dhe pamfletet e Kullës së Rojës dhe punonin në qendrën drejtuese të Bethel për 10-15 dollarë në muaj.7 Gjashtë vjet pas vdekjes së Radhërford, në 1942, shenjtorët e Dhjatës së Vjetër ende nuk erdhën, kështu që shoqëria pa zhurmë shiti vilën "Beth-Sarim", duke mbyllur kështu një kapitull të turpshëm në historinë e tyre të parashikimeve.8

FALSIFIKIMI I BIBLES

Nën drejtimin e Nethën H. Norr (1905-1977), Shoqëria Kulla e Rojës e la mënjanë caktimin e një date për një farë kohe dhe zgjodhi një strategji tjetër. Meqenëse shumë nga mësimet e tyre hidhen lehtësisht poshtë nga vargje të rëndësishme të Biblës së Mbretit Jakob (King James Bible), Norr vendosi të botojë një Bibël tjetër vetëm për Dëshmitarët e Jehovait. Bibla e Kullës së Rojës, e quajtur Përkthimi i Botës Së Re (New World Translation), zhurmshëm ndryshon shumë vargje të cilat tregojnë gabimet e mësimeve të Kullës së Rojës. Shembulli i thjeshtë dhe më i miri ishte Gjoni 1:1, i cili në King James Version qartësisht deklaron hyjninë e Jezusit - "Fjala ishte Perëndi." Shoqëria Kulla e Rojës e mohon hyjninë e Krishtit, kështu New World Translation e shndërron fjalinë në "Fjala ishte një perëndi."

Një shembull tjetër gjendet në Dhjatën e Vjetër, në librin e Zakarias, kapitulli 12, vargu 10. Perëndia Jehova flet dhe thotë, "ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur ...", e kuptuar nga të krishterët si një referencë e qartë parashikuese për kryqëzimin. Duke njohur se përmbushja e kësaj profecie të Jezusit do të thotë se ai është Perëndia Jehova, Shoqëria Kulla e Rojës e ka ndryshuar këtë varg në New World Translation në "ata sigurisht do të shohin tek Ai të cilin e kanë therur," duke eleminuar kështu një fakt tjetër të hyjnisë së Jezu Krishtit. Shoqëria bëri ndryshime të ngjashme në shumë vargje të tjera të lidhura me hyjninë e Krishtit (Kolosianëve 1:16-20, Titi 2:13, Hebrenjve 1:8). Ata gjithashtu kanë ndryshuar vargje që shfaqin falsitetin e mësimeve të Shoqërisë Kulla e Rojës, në subjekte të tilla si realiteti i dënimit të përjetshëm (Mateu 25:46), dhe personaliteti i Frymës të Shenjtë (1 Korintasve 14:14-16, 1 Timoteu 4:1, Juda 19). Në këtë mënyrë Shoqëria Kulla e Rojës i jep Dëshmitarëve të Jehovait dhe të konvertuarve të mundshëm iluzionin se Bibla mbështet doktrinat e saj të gabuara.

Grupi për përkthimin e New World Translation u mbajt anonim, pa dyshim për të mbuluar mungesën e tyre të kualifikimit teologjik. Asnjë nga njerëzit që punoi në këtë projekt nuk kishte kualifikim në gjuhët biblike, me përjashtim të Frederik Franc. Ai ishte kryetari i grupit dhe kishte studiuar greqisht për dy vjet në Universitetin e Sinsinatit, pa arritur të diplomohet, dhe kështu mësoi vet hebraishten.9  Pas vdekjes së Norr, Franc u bë presidenti i ri i Shoqërisë Kulla e Rojës.

FRIKESIMI DHE MUNGESA E INTEGRITETIT

Nga viti 1960 deri më 1966 ritmi i rritjes së organizatës ra konsiderueshëm. Në këtë pikë Bibla e Kullës së Rojës dhe Shoqëria e Pamfleteve (BKR & SHP) botuan një libër të ri, me një datë të re për fundin e botës. Jeta e Përjetshme në Lirinë e bijve të Perëndisë (1966) nga zëvendës-presidenti Franc (1894-1992), nxorri përfundimin se vjeshta e 1975 do të shënonte fillimin e periudhës së shtatë në historinë e njerëzimit. Shoqëria u tregua shumë e kujdesshme në evitimin e botimit të një parashikimi haptas, por mesazhi ishte i qartë për Dëshmitarët e Jehovait kudo ku ata ishin - Armagedoni po vinte së shpejti. Disa madje shitën edhe shtëpitë dhe pasuritë e tyre dhe për këtë ata u lavdëruan nga udhëheqësit e tyre.10

Radhët e tyre u rritën me mijëra deri në vitin 1975. Pastaj shumë Dëshmitarë e kuptuan se Shoqëria Kulla e Rojës nuk udhëhiqej nga Perëndia dhe u larguan nga organizata. Drejtuesit e BKR & SHP nuk e pranuan faktin se kishin gabuar në parashikimin e vitit 1975, përkundrazi, ata i udhëzuan anëtarët e çoroditur se duhej të "rregullonin pikëpamjet e tyre."11

Demaskimi i parashikimeve false të Shoqërisë Kulla e Rojës krijoi dyshime dhe shqetësime për organizatën. Shoqëria iu përgjigj duke botuar artikuj dhe libra në të cilat ata pranuan se kishin bërë gabime në parashikimet e tyre historike dhe në mësimet doktrinare. Ata i shfajësuan këto gabime duke ia atribuar ato gabueshmërisë njerëzore dhe duke thënë se Shoqëria Kulla e Rojës kurrë nuk ka pohuar se ishte e frymëzuar nga Perëndia.12 Ky ishte një mashtrim i paturpshëm meqenëse revistat e Kullës së Rojës në të kaluarën janë paraqitur si "mesazhe të Perëndisë" dhe kanë pasur udhëzime në thonjëza nga Jehovai. Një revistë e Kullës së Rojës jo më larg se 1 Gushti 1995 citonte: "Jehova veçanërisht mëson njerëzit e tij me anë të studimeve javore të Biblës, duke përdorur Kullën e Rojës si ndihmës në mësim."13

Më 1943, zëvendës-presidenti i KR Frederik Franc, dhe presidenti Nejthën H. Norr dhanë nën betim, në gjyq, dëshminë e mëposhtme se përmbajtja e Kullës së Rojës vjen direkt nga Perëndia.

Marrja në pyetje e Frederik W. Franc në hetimin e Olin Mojl kundër BKR& SHP, 1943. Seksioni # 2596-2597 faqe 866.

Pyetje — Sidoqoftë, Jehova Perëndi është tani botuesi i gazetës (Kulla e Rojës), apo jo?
Përgjigje — Ai është sot botuesi i gazetës.

Pyetje — Sa kohë ka qenë botues i gazetës?
Përgjigje — Që nga fillimi Ai e ka drejtuar atë.

Marrja në pyetje e Nejthën Honer Norr gjatë hetimit të Olin Majl kunder BKR&SHP, 1943, Seksioni # 4421, faqe 1474.

Pyetje — Në fakt, ajo (Kulla e Rojës) është konsideruar si Fjala e Perëndisë, apo jo?
Përgjigje — Po. Si Fjala e Perëndisë.

Pyetje — Pa asnjë kualifikim të çfarëdoshëm?
Përgjigje — Po, drejtë.

Shumë njerëz nuk janë në dijeni të këtyre fakteve dëmtuese dhe kështu radhët e Dëshmitarëve shtohen duke shpërndarë sasi të mëdha materialesh mashtruese. Pavarësisht nga dështimet në të kaluarën dhe pretendimet e sotme të pafrymëzuara, Shoqëria Kulla e Rojës sërisht kërkon besnikëri të plotë dhe vazhdon të parashikojë se Armagedoni po vjen së afërmi me shfarosjen e çdo njeriu që nuk bashkohet me organizatën ose të atij që e braktis atë. Megjithëse me një histori të ndryshuar nga manipulime dhe profeci të rreme, Shoqëria Kulla e Rojës ende parashikon se është e vetmja që mëson të vërtetën.

BESIME DOKTRINARE

Kur një organizatë si BKR&SHP pretendon të jetë e vetmja fe e vërtetë dhe burim i vetëm i mësimit korrekt të Biblës, duhet të studiojmë besimet e saj me kujdes. Nëse doktrinat janë të vërteta, ato duhet të jenë të mbështetura në Bibël dhe mësimet e saj do të jenë të qëndrueshme dhe të pandryshueshme në vite. Por Dëshmitarët e Jehovait mohojnë ose ndyshojnë shumë nga mësimet bazë të Biblës dhe besimet e tyre janë të kundërta me ato të kristianëve të rilindur gjatë shekujve. Shikoni krahasimet e mëposhtme:

Natyra e Perëndisë. Bibla mëson se ka vetëm një Perëndi të vërtetë (Isa. 43:10-11, 44:6,8). Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë janë të identifikuar si persona të vecantë në një Trinitet me Perëndinë në krye. (Mat 3:16-17, 2 Kor 13:14). Në Dhjatën e Re, Biri dhe Fryma e Shenjtë, ashtu si Ati janë identifikuar si Perëndi të veçantë. Secili ka atribute hyjnore dhe vepron si Perëndi. (Biri: Mark 2:5-12, Gjoni 20:28, Heb 1:8, Fryma e Shenjtë: Veprat 5:3-4, 2 Kor 3:17-18).

Në të kundërt, BKR&SHP mohojnë natyrën e trinitetit të Perëndisë dhe mësojnë se një dogmë e tillë është frymëzuar nga Djalli. 14 Ata mësojnë se Jehova, emri i Perëndisë së vetëm e të vërtetë, i korrespondon vetëm Perëndisë-Atë. Shoqëria, gjithashtu mohon se Jezusi është Zot (shih pikën tjetër). Ata mohojnë se Fryma e Shenjtë është një person dhe në vend të kësaj mësojnë se Ai është thjesht një forcë aktive e Perëndisë, e ngjashme me elektricitetin.15

Jezu Krishti. Bibla mëson se Jezu Krishti është Perëndia i ardhur si njeri (në mish) dhe Ai është krijuesi i të gjitha gjërave (Gjoni 1:1-3, 14, Kol 1:16). Ndërkohë që ishte Perëndi, në kohën e caktuar Ai la mënjanë lavdinë që ndante me Atin dhe mori natyrë njerëzore(Gjoni 17:3-5; Fil. 2:6-11; Kol 2:9). Pas vdekjes, Jezu Krishti u ringjall dhe u ngrit nga varri, u pa dhe u njoh nga më shumë se 500 njerëz. Ky fakt ishte vendimtar në predikimin dhe besimin e kishës së hershme (Luka 24:39; Gjoni 2:19-21; 1 Kor 15:6, 14).

Në të kundërt, BKR&SHP mohon hyjninë e Jezu Krishtit dhe mëson se Jezusi është një qënie e krijuar. Ai së pari ekzistoi si Mikaeli kryeëngjëlli dhe më vonë u lind si një njeri i përsosur. Dëshmitarët e Jehovait besojnë se pasi Jezusi u varros, Perëndia e rregulloi trupin e tij. Jezusi u rrit si një krijesë shpirtërore dhe "u materializua" në një trup njerëzor për ta bërë veten të dukshëm. Tani në parajsë Ai është sërish i njohur si Mikaeli kryeëngjëlli.16

Shpëtimi. Bibla mëson se puna e Krishtit vetëm siguron zgjidhjen për problemin e mëkatit të njeriut. Jezu Krishti mori mëkatet personale të të gjithë njerëzve-në të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen-në trupin e Tij në kryq (1 Pet 2:24) dhe si një Perëndi i përsosur dhe si njeri i përsosur Ai plotësoi tërësisht kërkesat e drejtësisë hyjnore për ne (Rom 3:22-26). Si rrjedhojë, çdo njeri ose të gjithë ata që e pranojnë Atë me besim të thjeshtë (Gjoni 1:12; Veprat 16:31), mund të falen, të deklarohen të drejtë dhe të rivendosin marrëdhënie me Perëndinë(2 Kor 5:21; Heb 7:24-26).

Në të kundërt, BKR&SHP mëson se vetëm një grup - elitë i Dëshmitarëve, të njohur si "të 144000", ose të "vajosurit" - njohin tashmë drejtësinë e Krishtit. Vetëm të 144.000 janë të rilindur dhe presin të sundojnë me Krishtin në parajsë. Për masën tjetër të Dëshmitarëve të Jehovait, të njohur si "delet e tjera" ose "masa e madhe", sakrifica e mundimshme e Krishtit vetëm siguron një shans për jetë të përjetëshme në tokë.17

Bibla gjithashtu, mëson se jemi të shpëtuar nga hiri, e shkëputur kjo nga punët tona të mira, shpëtimi është dhuratë e Perëndisë. Ne nuk mund të bëjmë asnjë gjë që të kontribuojmë në shpëtimin tonë sepse, të shkëputur nga Jezu Krishti, ne jemi "të vdekur në mëkatet tona" (Efesianëve 2:1-9).

Në të kundërt, BKR&SHP mëson se duhet të fitojmë shpëtimin tonë; shpëtimi do të "varet nga punët e çdonjërit". Një njeri mund "të vijë së pari tek organizata e Jehovait për shpëtim"18 dhe të pajtohet me çdo gjë që ata mësojnë. Në këtë mënyrë, një marrëdhënie me organizatën e Dëshmitarëve të Jehovait më mirë se një marrëdhënie personale me Jezu Krishtin, paraqitet si bazë e shpëtimit.

Fryma Njerëzore dhe Ndëshkimi i Përjetshëm. Bibla mëson se fryma njerëzore vazhdon të ekzistojë në mënyrë të ndërgjegjshme pas vdekjes (Luka 16:19-31; 2 Kor 5:6,8, Filip. 1:23-24; Zbulesa 6:9-11). Ata që kanë hedhur poshtë dhuratën e Perëndisë për jetën e përjetshme do të vuajnë të ndërgjegjshëm ndëshkimin e përjetshëm. (Mat 25:41, 46; Zbulesa 14:10, 11; 20:10,15).

Në të kundërt, BKR&SHP mohon ndëshkimin e përjetshëm dhe mëson se njeriu nuk ka një shpirt që mbijeton pas vdekjes së trupit. Dëshmitarët besojnë se vdekja i jep fund çdo ekzistence të ndërgjegjshme. Ferri i referohet varrit dhe ata që janë në fund të gjykuar nga Perëndia do të zhduken dhe thjesht do të pushojnë së ekzistuari.19

Bibla. Bibla mëson se vajosja me Frymën e Shenjtë i jep mundësi çdo të krishteri të kuptojë Fjalën e Perëndisë dhe ta zbatojë atë siç duhet në jetën e tij (Gjoni 16:13; 1 Gjoni 2:27).

Në të kundërt, BKR&SHP mëson se Bibla mundet vetëm të interpretohet nga Shoqëria Kulla e Rojës dhe asnjë individ nuk mund të mësojë të vërtetën i shkëputur nga ajo.20

KONTRADIKTA DHE NDRYSHIME

Shoqëria KR pretendon se është organizata e Jehovait dhe kanali i vetëm i Perëndisë për udhëzime shpirtërore në ditët e sotme.21 Ajo thekson se Bibla është një "libër organizativ" dhe nuk mund të kuptohet nga individë, pavarësisht se sa të sinqertë janë ata. Por si mund t’ia besojmë fatin tonë të përjetshëm një organizate e cila gjatë kohës së shkurtër të ekzistencës së saj, ka akumuluar një histori kaq të trishtuar me kontradikta dhe ndryshime? Le të studiojmë shembujt e mëposhtëm të KR.

Më 1975 BKR&SHP mësonte se njeriu i cili mbjell farën si në shëmbëlltyrën e farës së sinapit (Mateu 13) është Satani. Nga fundi i po këtij viti ata mësonin se ky mbjellës ishte Jezusi.22

Një incident i ngjashëm ndodhi më 1978, kur BKR&SHP identifikuan "Alfa dhe Omega" të Zbulesës 22:12-13, si Jehova (ky është Perëndia-Atë) dhe pesë javë më vonë mësuan se këto vargje i referohen Jezusit.23

Dështimi i shoqatës Kulla e Rojës për të interpretuar në mënyrë korrekte Biblën shihet më qartë në ndryshimet e shpeshta doktrinare. Në fillim ata mësojnë pozicionin A, pastaj kalojnë në pozicionin B, duke pretenduar se Perëndia u ka dhënë "një dritë të re". Mirëpo më vonë, ata kthehen tek mësimi i vjetër (pozicioni A) dhe në disa raste kthehen përsëri tek pozicioni B. Ja disa shembuj.

Ringjallja e Njerëzve të Sodomit.

1879 - Ata do të ringjallen.
1952 - Ata nuk do të ringjallen.
1965 - Ata do të ringjallen.
1988 - Ata nuk do të ringjallen.24

Fjala "Zoti" tek Romakët 10:12-16.

1903 - "Zoti" i referohet Jezusit.
1940 - "Zoti" i referohet Jehovait.
1978 - "Zoti" i referohet Jezusit.
1980 - "Zoti" i referohet Jehovait.25

Fraza "Pushtetet e Sipërme" tek Romakët 13:1.

1913 - "Pushtetet e Sipërme" i referohet qeverive.
1943 - "Pushtetet e Sipërme" i referohet Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit.
1964 - "Pushtetet e Sipërme" i referohet qeverive.26

Ndarja e "deleve dhe e cjepërve" (Mat 25:31-46)

1919 - Do të ndodhë pas vuajtjeve.
1923 - Po ndodh tani, para vuajtjeve.
1995 - Do të ndodhë pas vuajtjeve.27

PËRFUNDIM

Nën dritën e fakteve të mësipërme, a duhet ti besojmë Biblës së Kullës së Rojës dhe Shoqërisë së Pamfleteve? Ata kanë parashikuar të paktën 6 herë mashtrimin e fundit të botës dhe i kanë përdorur këto parashikime për të frikësuar ndjekësit e tyre. Bibla na paralajmëron se kanë për të ardhur shumë profetë të rremë që do të pohojnë se flasin për Perëndinë (Mateu 7:15; 1 Gjoni 4:1). Fatmirësisht jep edhe një test të mirë për të identifikuar profetët e rremë. Tek Ligji i Përtërirë 18:21-22 na thuhet se kushdo që e shpall veten se po flet si një profet i Perëndisë dhe parashikon diçka që nuk ndodh është një profet i rremë:

Ju mund t’i thoni vetes, "Si mund ta dimë që një mesazh nuk është dhënë nga Zoti? Në qoftë se shpallja e një profeti në emër të Zotit nuk realizohet ose ndodh, ai është një mesazh që nuk e ka dhënë Zoti. Ai profet ka folur kotësira. Mos kini frikë nga ai.

Sipas Biblës, një profeci e rreme e bën folësin profet të rremë. Nga ky provim, Shoqëria Kulla e Rojës dështoi në profecitë në lidhje me 1914, 1915, 1918, 1920, 1925, dhe 1975 duke provuar pa dyshim që është një profet i rremë.

Ky grup në mënyrë të vazhdueshme ka ndryshuar doktrinat e tij, të gjitha këto janë thënë kur në të njëjtën kohë kanë pretenduar se vetëm ata e kanë të gjithë të vërtetën. A është kjo e pajtueshme me përsosmërinë dhe shenjtërinë e Perëndisë?

Ne nuk duam të vemë në lojë ose të ulim vlerat e individëve të Dëshmitarëve të Jehovait; ata janë në përgithësi të sinqertë dhe njerëz të dedikuar. Në një kuptim ata janë më tepër si dele të humbura se sa ujq grabitqarë, për faktin se ata janë mashtruar nga një organizatë me një histori plot profeci dhe doktrina të rreme. Dëshmitarët e Jehovait vërtetë besojnë se po u larguan nga Shoqata Kulla e Rojës ata do të shkatërrohen në kohën e Armagedonit. Ata kanë nevojë për dashurinë dhe dhembshurinë tonë. Dëshira jonë për ta, ashtu si për çdo njeri tjetër, është që ata të njohin vërtet atë që na mëson Bibla dhe të kuptojnë se shpëtimi është dhurata e Perëndisë për ne. Vetëm duke hyrë në një marrëdhënie personale me Jezu Krishtin çdonjërit prej nesh do t’i garantohet falja dhe jeta e përjetshme.
 



SHËNIME

1. Ja disa citime nga literatura Kulla e Rojës: "Jehova po përdor vetëm një organizatë sot për të përmbushur vullnetin e tij. Për të pasur jetën e përjetëshme në Parajsën tokësore ne duhet të identifikojmë këtë organizatë dhe ti shërbejmë Perëndisë si pjesë e saj. (Kulla e Rojës, 15 Shkurt, 1983, fq 12).
"Pra, kur drejtimi vjen nga organizata e Jehovait, ne me urtësi duhet ti bindemi, duke pranuar se vetëm Jehovai do të na drejtojë në një rrugë që do të jetë një përfitim i përjetshëm. (Kulla e Rojës, 1 N+ëntor 1990, faqe 30).

2 Friz Springmajer. Kulla e Rojës dhe Masonët. (Portland : Një detyrë e krishterë, 1993, botimi i dytë) faqe 11.

3. 3. Pastori J. J Ras. Disa Fakte dhe më shumë Fakte rreth vetëstilit të "Pastor" Çarl T Rasëll, ribotuar nga Witness Inc, faqet 3,4.

4. Pastori J.J.Ras. Disa Fakte dhe më shumë Fakte rreth vetëstilit të "Pastor" Çarl T Rasëll- Witness. Inc, ribotim faqe 16-19. Në mohimin e pamfletit të Rasëll ai pranoi se "përsa i përket mrekullisë së miellit mund të thuhet se ka një pjesë të së vërtetës mbase një grimë të së vërtetës në të".

5. Ras, faqe 6, Brooklym, Daily Eagle, 29 Janar 1913, faqe 16. Çmimi i zakonshëm i miellit gjatë kësaj kohe ishte 1$ për thes. Telefonatë nga Universiteti Kent County Extension Service i Shtetit të Miçiganit. (Tetor 1991).

6. Historia e mbaruar. People Pulpit Association. 1917, faqe 485, 258.

7. Pastor Eduart Loxh Kurron, Gjykatës-"për katër ditë"- Radhërford

8. Fred Franz, ish presidenti i SHKR&SHP, i referohej Radhërford duke thënë për sa i përket parashikimeve të tij : "Unë e di se jam gomar". Cituar nga Rajmond Franz në Kriza e ndërgjegjes, faqe 137.

9. Rajmond Franz, Kriza e ndërgjegjes, dorëshkrim faqe 50.

10. Puna Mbretëri, Maj 1974, faqe 3.

11. Kulla e Rojës, 15 korrik 1976, faqe 441. Katër vjet më vonë Shoqata e pranoi se ata ishin përgjegjës për "rritjen e shpresave të përqëndruara në këtë datë". (Kulla e Rojës, 15 Mars 1980, faqet 17-18; gjithashtu shih : Dëshmitarët e Jehovait-Shpallësit e Mbretërisë së Perëndisë. SHKR&SHP, 1993, faqe 633, "llogaritjet e kohës dhe pritjet që erdhën pas tyre bënë që të lindin zhgënjime serioze."

12. Shih, për shembull, Dëshmitarët e Jehovait - Shpallësit e Mbretërisë së Perëndisë, SHKR&SHP, 1993, faqet 626-635, 709. Zgjohu 22 Mars 1993, faqet 3-4.

13. Kulla e Rojës, 1 Korrik 1943, faqe 205, 15 Gusht 1943, faqe 256, 1 Gusht 1995, faqe 17.

14. A duhet të besoni në Trininë? faqe 31.

15. Duke arsyetuar nga Shkrimet, faqe 381, Ndihmës për kuptimin e Biblës, fq. 1544.

16. Kulla e Rojës, 1 Nëntor 1995, fq. 8.

17. Arsyetime, faqe 217, 218.

18. Kulla e Rojës, 1 Korrik 1947, fq. 204, 15 Nëntor 1981, fq.21.

19. Arsyetime, faqe 100, 175.

20. Kulla e Rojës, 1 Tetor 1967, fq 587; 1 Dhjetor 1990, fq 19.

21. Kulla e Rojës, 1 Tetor 1967, fq 590.

22. Shpëtimi i njeriut jashtë dhimbjes së botës (1975), fq 208, Kulla e Rojës, 1 Tetor 1975, fq 600.

23. Zgjohu! 22 Gusht 1978, fq 28. Kulla e Rojës, 1 Tetor 1978, fq 15.

24. Kulla e Rojës e Zionit, Ribotim. Korrik 1879, fq 7; Kulla e Rojës, 1 Qershor 1952, fq 338; 1 Gusht 1965, fq 479; 1 Qershor 1988, fq 30-31.

25. Kulla e Rojës e Zionit, Ribotim, 1 Dhjetor 1903, fq 3282, Kulla e Rojës, 1 Korrik 1940, fq 200, 1 Maj 1978, fq 12; 1 Shkurt 1980, fq 16.

26. Kulla e Rojës, Ribotim, 1 Shtator 1916, fq 5952; E vërteta do t’ju bëjë të lirë (botim i 1943) fq 312; Kulla e Rojës, 15 Qershor 1964, fq 20. Shoqata Kulla e Rojës pranoi se ky ndryshim në doktrinë i kushtoi jetën shumë Dëshmitarëve të Jehovait (Kulla e Rojës, 15 Nëntor 1950, fq 441).

27. Kulla e Rojës, 1 Gusht 1919, fq 238. Dëshmitarët e Jehovait-shpallës të Mbretërisë së Perëndisë, 1993, fq 163-164; Kulla e Rojës, 15 Tetor 1995, fq 19, 22-23.